25/08/2026
Urimi i Kryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, Fehim ef. Abazi, me rastin e 12 Rebiul-Euvelit
Të dashur vëllezër dhe motra,
Të nderuar besimtarë,
Sot, më 12 Rebiul-Euvel, në muajin e bekuar të Mevludit, zemrat e miliona besimtarëve anembanë botës kthehen me dashuri, mall dhe respekt te njeriu më i dashur për umetin islam, te Pejgamberi ynë i mëshirës, Muhammedi Mustafas, sallallahu alejhi ue sellem.
Kjo ditë nuk është vetëm një datë që e shënojmë në kalendar. Është një moment për tu ndalur, për të reflektuar dhe për ta pyetur veten: Sa e njohim Pejgamberin ﷺ? Sa e duam atë? Dhe sa nga mësimet e tij i kemi bërë pjesë të jetës sonë të përditshme?
Pejgamberi Muhamed ﷺ nuk erdhi vetëm për t’u mësuar njerëzve fjalët e besimit. Ai erdhi për t’ua ndryshuar zemrat. Ai na mësoi se madhështia e njeriut nuk qëndron te pasuria, pozita apo fuqia, por te morali, drejtësia, mëshira dhe devotshmëria.
Ai ishte i mëshirshëm me të dobëtin, i drejtë me të gjithë, i butë me familjen, falës ndaj atyre që e lënduan dhe i kujdesshëm për jetimët, të varfrit dhe nevojtarët. Edhe kur u përball me vështirësi, ai nuk e humbi mëshirën; edhe kur u lëndua, nuk e braktisi faljen; edhe kur kishte mundësi të hakmerrej, por zgjodhi mëshirën, dashurinë dhe pajtimin.
Prandaj, nëse vërtet dëshirojmë ta kujtojmë Pejgamberin ﷺ, le ta kujtojmë duke u bërë më të mirë.
Le ta kujtojmë kur i japim dorën vëllait tonë.
Le ta kujtojmë kur falim dikë që na ka lënduar.
Le ta kujtojmë kur kujdesemi për prindërit tanë.
Le ta kujtojmë kur e edukojmë fëmijën me dashuri dhe moral.
Le ta kujtojmë kur i qëndrojmë pranë një të varfri, një të sëmuri apo një njeriu në nevojë.
Le ta kujtojmë kur kemi të drejtë edhe atëherë kur drejtësia nuk është në favorin tonë.
Sepse dashuria për Muhammedin ﷺ nuk është vetëm ajo që themi me gjuhë, por ajo që dëshmojmë me zemër dhe e zbatojmë me vepra.
Në traditën tonë shqiptare, dashuria për Pejgamberin ﷺ është ruajtur ndër breza. Në shtëpitë tona janë kënduar mevlude, janë bërë salavate, janë treguar historitë e jetës së tij dhe fëmijët tanë janë rritur duke dëgjuar për moralin dhe mëshirën e Muhammedit ﷺ. Kjo është një pasuri shpirtërore që duhet ta ruajmë dhe t’ua përcjellim edhe brezave që vijnë.
Por sot, në një kohë kur bota përballet me probleme e konflikte, me individulizëm dhe egoizëm, ndoshta më shumë se kurrë kemi nevojë ta sjellim moralin e Pejgamberit ﷺ në jetën tonë, në familjet tona, në xhamitë tona, në komunitetin tonë dhe në shoqërinë ku jetojmë.
Të jemi më të bashkuar.
Të jemi më të mëshirshëm ndaj njëri tjetrit.
Të flasim më pak për të metat e të tjerëve dhe të punojmë më shumë për të mirën e përbashkët.
Të mos lejojmë që dallimet të na ndajnë, por vlerat e përbashkëta të na bashkojnë.
O Allah, na e shto dashurinë për të Dërguarin Tënd, Muhammedin ﷺ. Na mundëso ta njohim jetën e tij, ta ndjekim shembullin e tij dhe ta zbukurojmë jetën tonë me moralin e tij.
Në këtë 12 Rebiul-Euvel, lutemi që salavatet tona të ngrihen drejt qiellit, lutjet tona të pranohen dhe zemrat tona të mbushen me dritën e besimit, dashurisë dhe mëshirës.
Uroj që në çdo familje të ketë paqe, në çdo shtëpi bereqet, në çdo zemër dashuri dhe në komunitetin tonë më shumë vëllazëri e solidaritet.
Le ta kujtojmë sot Muhammedin ﷺ jo vetëm me buzët tona, por me zemrat tona. Dhe le ta dëshmojmë dashurinë për të me mënyrën se si sillemi me Allahun, me familjen, me fqinjët dhe me çdo njeri që na rrethon.
Gëzuar 12 Rebiul-Euvelin!
Allahu na e pranoftë dashurinë, salavatet dhe veprat tona të mira.
Me respekt, lutje dhe përzemërsi,
Fehim ef. Abazi
Kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër