25/08/2026
GJUHA SHQIPE – AMANET PËR BREZAT TANË
Me fillimin e vitit të ri shkollor, dëshirojmë t’ua rikujtojmë të gjithë prindërve shqiptarë në Austri një mundësi shumë të rëndësishme për fëmijët tanë: mësimin e gjuhës shqipe në kuadër të sistemit shkollor austriak.
Austria u mundëson nxënësve që, krahas mësimit të rregullt, të mësojnë dhe ta zhvillojnë edhe gjuhën e familjes së tyre. Por që kjo mundësi të shfrytëzohet dhe mësimi të organizohet, nevojitet interesimi dhe regjistrimi i fëmijëve nga ana e prindërve.
Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë prindërve shqiptarë:
Regjistroni fëmijët tuaj në mësimin e gjuhës shqipe!
Të flasësh shqip në shtëpi është shumë e rëndësishme, por nuk mjafton. Fëmijët tanë duhet të mësojnë edhe të lexojnë, të shkruajnë dhe ta përdorin drejt e me një fjalor të pasur gjuhën shqipe.
Gjuha është lidhja e tyre me familjen, gjyshërit, kulturën, historinë dhe prejardhjen e tyre. Ajo është një pasuri që ua lëmë brezave që vijnë.
Nëse ne si prindër nuk i regjistrojmë fëmijët, numri i nxënësve mbetet i vogël dhe rrezikojmë që mundësitë për organizimin e mësimit të shqipes të zvogëlohen.
Formulari i regjistrimit në gjuhën shqipe mund të shkarkohet këtu:
https://www.sfz-wien.at/images/sfz_img/download/mu/anmeldeformular-mu/albanisch.pdf
Plotësojeni formularin dhe dorëzojeni në shkollën që frekuenton fëmija juaj.
Mos prisni që gjuhën shqipe ta ruajnë të tjerët për ne.
Ruajtja e saj fillon në familjet tona.
Regjistroje fëmijën tënd në mësimin e gjuhës shqipe!
Formularin e plotësuar dergojeni në emailin e shkollës ku frekuentojnë fëmijët tuaj.