08/28/2026
Shën Gjon Pagëzuesi
"Kthehuni se u afrua Mbretëria e Qiellit"
Nga Mark K. Shkreli
Ardhja e Gjon Pagëzuesit është parathënë qindra vjet më parë: "Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tija!" (Isaia 40:3) dhe "Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje, që ta bëjë gati udhën tënde para teje!".
Kalendari i Kishës Katolike shënon vetëm tri festa që përkujtojnë ditëlindjet tokësore: Ditëlindjen e Jezusit më 25 dhjetor, të Marisë më 8 shtator dhe të Shën Gjon Pagëzuesit më 24 qershor. Andaj shtrohet pyetja: çfarë kanë këta të tre të përbashkët? Përgjigjja është se të tre kanë lindur pa njollën e mëkatit origjinal. Jezusi dhe Maria janë zënë pa mëkatin origjinal, ndërsa Gjon Pagëzuesi, edhe pse nuk u zë i tillë, u mbush me hirin e Shpirtit Shenjt që kur ishte në kraharorin e së ëmës, Elizabetës beronjë. Duhet të theksojmë se ne festojmë edhe ditën e martirizimit (vdekjes) së tij më 29 gusht, e cila njihet ndryshe edhe si "Shën Gjoni i Hotit".
Prindërit e Gjon Pagëzuesit, Zakaria dhe Elizabeta, ishin të moshuar dhe kishin humbur shpresën se një ditë do të kishin fëmijë. Kjo gjë për judenjtë ishte jo vetëm një zhgënjim personal, por edhe turp, sepse besonin se sterileta ishte ndëshkim prej Zotit për mëkatet e prindërve. Por, sipas Lukës Ungjilltar, "të dy ishin të drejtë para Hyjit, sepse u përmbaheshin pikë për pikë të gjitha urdhërimeve e porosive të Zotit". Megjithatë, "ata nuk kishin fëmijë sepse Elizabeta ishte beronjë e të dy ishin të shtyrë në moshë" (Lk 1:6-7).
I zhytur në këto mendime të zymta, një ditë Zakaria, që ishte prift i rendit të Abisë, hyri në Shenjtëroren e Zotit për të kushtuar kemin. Derisa "populli rrinte përjashta e lutej", në të djathtë të altarit të kemimit atij iu shfaq engjëlli i Zotit. Zakaria u shqetësua dhe e kaploi frika, por engjëlli e qetësoi me fjalë të buta: "Mos u tremb, Zakari! Urata jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon" (Lk 1:13). Engjëlli më pas vazhdoi duke i thënë Zakarisë se lindja e djalit do të gëzonte atë, të shoqen, por edhe shumë të tjerë, "sepse do të jetë i madh para Zotit" (Lk 1:14).
Zakaria nuk mund t'u besonte fjalëve të engjëllit: "Si mund të jem i sigurt për këtë gjë? Unë jam i vjetër e gruan e kam në moshë të shkuar" (Lk 1:18). Engjëlli, që tani u paraqit si kryeengjëlli Gabriel, nuk e pëlqeu mosbesimin e Zakarisë, ndaj i tha se si ndëshkim do të mbetej memec dhe nuk do të mund të fliste deri ditën kur të lindte djali.
Populli përjashta po priste Zakarinë dhe habitej pse po vonohej aq shumë. Kur doli nga Shenjtërorja, Zakaria nuk mundi t'i fliste popullit dhe u mundua t'u shpjegonte me shenja. Të shtangur, njerëzit e kuptuan se ai duhej të kishte parë ndonjë vegim derisa ishte brenda. Pasi përfundoi ditët e shërbimit të tij, Zakaria u kthye në shtëpi dhe Elizabeta mbeti shtatzënë.
Maria shkon për vizitë te Elizabeta
Sipas Ungjillit të Shën Lukës, gjashtë muaj më vonë, Hyji dërgoi Gabrielin në Nazaret te një virgjëreshë që quhej Mari, e cila ishte e fejuar me Jozefin dhe ishte kushërirë e Elizabetës. Engjëlli e lajmëroi se ajo do të mbetej shtatzënë dhe do të lindte një djalë, të cilin do ta quante Jezus. Njëkohësisht, e njoftoi edhe për shtatzëninë e kushërirës së saj: "Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo në pleqërinë e saj, pret t'i lindë djali. Ajo që quhej beronjë, është në të gjashtin muaj" (Lk 1:36).
Maria vendosi menjëherë të vizitonte kushërirën e saj, jo vetëm për ta ndihmuar, por edhe për të ndarë me të fshehinë e madhe të shtatzënisë së vet. Teksti biblik thotë se ajo "u nis me nxitim nëpër krahinën malore" (Lk 1:39) dhe pas katër ditësh udhëtim arriti në qytetin e Judës ku jetonte Elizabeta.
Takimi i këtyre dy grave ishte solemn dhe gëzimplotë. Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, foshnja ende e palindur lëvizi me gëzim në kraharorin e saj dhe ajo u mbush me Shpirtin Shenjt. Me zë të lartë, ajo brohoriti për lumturinë e Marisë dhe të foshnjës që mbante në bark. Si përgjigje, Maria recitoi Magnificat-in (Himnin e Marisë), duke lavdëruar Hyjin për mëshirën, urtësinë dhe mrekullitë e Tij. Maria qëndroi me Elizabetën rreth tre muaj dhe pastaj u kthye në shtëpinë e saj.
Lindja e Gjon Pagëzuesit
Kur erdhi koha, Elizabeta lindi një djalë. Kjo ngjarje solli gëzim të madh te prindërit, fqinjtë dhe farefisi, pasi ai ishte fëmija i tyre i vetëm. Zakaria vazhdonte të ishte memec.
Sipas Ligjit të Moisiut, ditën e tetë erdhën për ta rrethprerë fëmijën dhe për t'i vënë emrin. Të gjithë mendonin se do ta quanin Zakaria, sipas të atit, por e ëma ndërhyrë me këmbëngulje: "Jo, por do të quhet Gjon!". Të pranishmit u çuditën dhe i thanë se askush në farefis nuk mbante atë emër. Atëherë pyetën me shenja Zakarinë. Ai kërkoi një tabele shkrimi dhe shkroi: "Gjon është emri i tij" (Lk 1:63). Në atë çast, Zakarisë iu kthye goja dhe filloi të lavdëronte Hyjin. Lajmi u përhap në mbarë krahinën malore të Judesë dhe të gjithë e kuptuan se "dora e Zotit ishte me të".
Nga të katërt ungjilltarët, Luka na jep më shumë hollësi për Gjonin, por as ai nuk flet shumë për periudhën nga lindja deri kur ai filloi shërbimin në lumin Jordan. Luka thotë thjesht: "Foshnja rritej e zhvillohej shpirtërisht. Jetoi në shkretëtirë deri atë ditë kur iu dëftua ballafaqe Izraelit" (Lk 1:80).
"Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr"
Për të mësuar më shumë për misionin e Gjonit, i drejtohemi përsëri Lukës: "...fjala e Hyjit i qe drejtuar Gjonit, të birit të Zakarisë, në shkretëtirë. Atëherë Gjoni e përshkoi mbarë krahinën e Jordanit duke predikuar pagëzimin e kthimit për faljen e mëkateve" (Lk 3:2-3). Ndërsa Mateu (3:1-3) shkruan: "Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretëtirën e Judesë e thoshte: 'Kthehuni se u afrua Mbretëria e Qiellit!'. Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia profet kur tha: 'Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë'".
Sipas Shkrimeve, Gjoni nuk ishte i veshur me rroba luksoze, por "me petk lesh deveje e rreth ijëve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër". Ai predikonte dhe pagëzonte në shkretëtirë të gjithë ata që pranonin të ktheheshin tek Zoti, duke i qortuar për mëkatet e tyre. Ai gjithashtu u tregonte se pas tij po vinte dikush shumë më i fuqishëm: "Unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh lidhëset e mbathjeve të Tij. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr" (Mt 3:11).
Pasi Gjoni kishte pagëzuar turmat për disa kohë, një ditë në bregun e lumit Jordan u paraqit vetë Jezusi, i ardhur nga Galileja. Gjoni, edhe pse nuk e kishte takuar më parë në atë rol, e njohu përmes Shpirtit dhe fillimisht refuzoi ta pagëzonte duke i thënë: "Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?". Por Jezusi, që po fillonte misionin e Tij publik, iu përgjigj: "Lëre tani, sepse kështu na hije të kryejmë çdo drejtësi". Atëherë Gjoni pranoi. Hyji Atë nuk deshi ta linte këtë ngjarje pa dëshmi qiellore: "...dhe ja, iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. Dhe ja, një zë që vinte nga qielli tha: 'Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!'" (Mt 3:16-17).
Megjithatë, jo gjithkush pranoi të pagëzohej. Farisenjtë dhe skribët kundërshtonin, duke thënë se riti i pagëzimit duhej të lidhej vetëm me Mesinë ose Elinë. Gjoni u përgjigjej: "Unë erdha të pagëzoj me ujë" (Gj 1:33). Rëndësinë e Gjonit e vërtetoi edhe vetë Krishti kur u tha farisenjve: "Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi" (Mt 11:11). Pra, vetë Krishti e konfirmoi atë si "Pagëzuesin".
Pas pagëzimit nga Gjoni, Jezusi filloi të predikonte nëpër Galile dhe Jude, ndërsa Gjoni vazhdonte misionin e tij në luginën e Jordanit. Ishte pikërisht në këtë kohë kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan tek ai priftërinj dhe levitë për ta pyetur se kush ishte. Ai e pranoi hapur se nuk ishte as Mesia, as Elia e as Profeti. Kur ata kërkuan një përgjigje përfundimtare për njerëzit që i kishin dërguar, Gjoni u tha: "Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: 'Bëni të rrafshët udhën e Zotit', siç tha Isaia profet" (Gj 1:23).
Të nesërmen, në Betani, përtej lumit Jordan, Gjoni po pagëzonte përsëri. Kur pa Jezusin që po i afrohej, tha: "Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës! Ky është ai për të cilin thashë: 'Pas meje vjen një njeri, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!'" (Gj 1:29-30). Një ditë tjetër, duke e parë Jezusin në largësi, Gjoni përsëriti: "Ja, Qengji i Hyjit!". Duke dëgjuar këto fjalë, Ndreu dhe një dishepull tjetër i Gjonit shkuan pas Jezusit.
Vdekja e Gjonit
Pasi kaluan disa muaj, Pagëzuesi u shfaq përsëri duke pagëzuar dhe predikuar. Në të njëjtën kohë, edhe Jezusi ndodhej në atë krahinë dhe dishepujt e Tij po pagëzonin në Jude. Disa nga dishepujt e Gjonit, së bashku me njerëz të tjerë, filluan të pëshpëritnin (debatonin) në lidhje me përparësinë e Jezusit kundrejt Gjonit. Më në fund, morën guximin dhe e pyetën nëse do të ishte më me vend që Jezusi, të cilin ai vetë e kishte pagëzuar, t'ia lëshonte rrugën Gjonit, dhe nëse Jezusi po i ndërhynte në detyrën e tij duke pagëzuar.
Gjoni u përgjigj: "Askush s'mund të marrë gjë për vete, nëse nuk i është dhënë prej qiellit! Ju vetë më jeni dëshmitarë se kam thënë: 'Unë nuk jam Mesia, por jam i dërguar para Tij.' ... Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem" (Gj 3:27-28,30).
Këto ngjarje ndodhën në Perea dhe Galile, krahina që përbënin tetrarkinë e Herod Antipës, të birit të Herodit të Madh. Herod Antipa, edhe pse ishte i martuar me të bijën e mbretit të Nabatenëve, gjatë një udhëtimi në Romë u martua me Herodiadën, gruan e Filipit, gjysmëvëllait të tij.
Ungjilltarët nuk tregojnë se si dhe kur u takua Gjoni me Herodin tetrark, por tre ungjijtë e parë (sinoptikët) dëshmojnë se Gjon Pagëzuesi kishte pasur guximin t’i dënonte veprat e këqija të mbretit, e veçanërisht tradhtinë e tij bashkëshortore publike – martesën me Herodiadën. Herodi, i shtyrë nga Herodiada, nuk mund ta linte akuzuesin e tij të lirë, ndaj "urdhëroi që Gjoni të kapej, të lidhej me pranga e të futej në burg" (Mk 6:17).
Sipas historianit judeas Flavio Jozefi, Gjoni u mbajt i burgosur në kështjellën e Makerontit (Kështjella e Zezë), në breg të Detit të Vdekur (Antiq., XVIII, v, 2). Nuk dihen saktësisht të gjitha motivet e Herodit ndaj Gjonit, por është më se e sigurt që Herodiada e urrente pa masë dhe kërkonte çdo mënyrë për ta asgjësuar. Megjithatë, ndonëse Herodi në fillim kishte të njëjtën dëshirë si ajo, ai nuk guxonte ta vriste sepse i druhej popullit, i cili e nderonte Gjonin si profet.
Edhe pse ishte i prangosur në burg, Gjoni holdshe në dijeni për ngjarjet që ndodhnin jashtë dhe dëgjonte për mrekullitë që bënte Jezusi. Ndonëse vetë Gjoni nuk e humbi kurrë besimin, disa nga dishepujt e tij dyshonin nëse Jezusi ishte vërtet Mesia. Prandaj, ai i dërgoi ata te Jezusi për ta pyetur: "Gjon Pagëzuesi na dërgoi te ti që të pyesim: 'A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?'" (Lk 7:20).
Pikërisht në atë kohë, Jezusi bëri disa mrekulli në prani të dishepujve të Gjonit. Ai nuk u përgjigj me "po" ose "jo", por u tha: "Shkoni e tregoni Gjonit çfarë patët e çfarë dëgjuat: të verbrit po fitojnë dritën e syve, të çalët po ecin drejt, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet Ungjilli" (Lk 7:22).
Nuk dimë se si ndikoi kjo përgjigje te dishepujt e Gjonit, por dimë se si e vlerësoi Jezusi atë para popullit: "Gjoni është ai për të cilin është shkruar në Shkrimin Shenjt: 'Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje, për ta bërë gati udhën tënde para teje'. Unë po ju thonë: Ndër ata që kanë lindur prej grave, nuk ka asnjë më të madh se Gjoni!" (Lk 7:27-28).
Shën Gjoni po lëngonte prej kohësh në burg, por urrejtja e Herodiadës nuk ishte zbutur aspak; ajo po priste vetëm rastin e volitshëm. Ky rast erdhi kur Herodi organizoi një festë të madhe për ditëlindjen e tij. Për të argëtuar Herodin dhe të ftuarit, vajza e Herodiadës, që sipas Flavio Jozefit quhej Salome, hyri në sallë dhe dancoi. Herodit, i cili tashmë ishte nën ndikimin e alkoolit, i pëlqeu aq shumë kërcimi i saj, saqë i tha: "Kërko prej meje çfarë të duash dhe unë do të ta j*p!" (Mk 6:22).
Vajza nuk dinte çfarë të kërkonte, ndaj shkoi të këshillohej me të ëmën. Prej saj mori një udhëzim mizor: "Kryet e Gjon Pagëzuesit!" (Mk 6:24).
Sipas porosisë së të ëmës, vajza u kthye nxitimthi në sallë dhe para të gjithë të ftuarve kërkoi: "Dua të më j*pësh menjëherë në një pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit". Mbreti u trishtua shumë, sepse nuk e priste këtë kërkesë, por për shkak të betimit që kishte bërë përpara të ftuarve, nuk deshi t'i prishte fjalën. Ai dërgoi menjëherë një xhelat në burg me urdhrin për t'ia prerë kokën Gjonit. Xhelati shkoi, ia preu kokën në burg, e solli atë në një pjatë dhe ia dha vajzës, ndërsa vajza ia dorëzoi të ëmës (Mk 6:27-28).
Kështu përfundoi jeta e më të madhit "ndër ata që kanë lindur prej grave", si çmim për një valltare dhe si shpërblim për një betim të bërë me ngut e të mbajtur në mënyrë kriminale (Shën Augustini).
Kur dishepujt e Gjonit dëgjuan për këtë krim të tmerrshëm, erdhën, morën trupin e tij dhe e varrosën. Sipas traditës, varri i Gjonit ndodhet në Sebaste të Samarisë.
(Shkrimi i redaktuar dhe përmirësuar me ndihmën e I.A.)