03/09/2026
13. BESIMTARËT E PARË NË ISLAM
Zemrat e para që iu përgjigjën thirrjes së besimit
I pari ndër burrat që në Pejgamberin kishte besuar, ishte Ebu Bekri, shoku i shpellës, Es-Siddiku i nderuar; nga fëmijët, Aliu Islamin kishte pranuar, e nga gratë, Hatixheja, me të cilën Allahu zemrën ia kishte forcuar.
Nga të liruarit, Zejd ibn Harithe kishte besuar,
e nga skllevërit, Bilali, të cilin Umejje për shkak të besimit e kishte torturuar; por Ebu Bekri, zotëria i tij, nga robëria e kishte liruar, dhe me këtë vepër fisnike nder të madh kishte fituar.
Pas tyre, Uthmani, Sa’di, Seidi dhe Talha Islamin kishin pranuar, Abdurrahman ibn Aufi dhe Zubejr ibn Avvami atyre u qenë bashkuar; Zubejri, i biri i Safijes, hallës së Pejgamberit të nderuar, si dhe të tjerë, që Siddiku me nektarin e besimit i kishte ujitur e freskuar.
Pejgamberi alejhis-selam me shokët e tij fshehurazi kishin adhuruar, derisa Allahu këtë ajet atij ia kishte shpallur e urdhëruar:
“Shpalle haptazi atë që të është urdhëruar!”
Atëherë thirrjen haptazi ndër njerëz e kishte kumtuar, dhe të gjitha krijesat drejt Allahut kishte ftuar.
Populli i tij në fillim prej tij nuk ishte larguar, derisa ai idhujt e tyre i kishte qortuar; dhe çdo gjë pos Njëshmërisë ta braktisnin i kishte urdhëruar, atëherë me armiqësi e mundime kundër tij qenë çuar.
Sprovat mbi muslimanët shumë qenë rënduar, prandaj në vitin e pestë drejt vendit të Nexhashiut kishin emigruar; Ndërsa xhaxhai i tij, Ebu Talibi, me dhembshuri pranë i kishte qëndruar, prandaj kurejshët prej tij qenë druajtur dhe sulmin e kishin mënjanuar.
Një pjesë të orëve të natës në namaz ta kalonte i qe obliguar, pastaj ky obligim me fjalën e Allahut qe lehtësuar:
“Lexoni prej tij aq sa e keni të lehtë dhe faleni namazin!”
Dy rekate në mëngjes e dy në mbrëmje i qenë urdhëruar, pastaj me pesë namazet ditore qenë zëvendësuar; ato në natën e Israsë Allahu ia kishte obliguar, dhe për umetin e tij shtyllë të fesë i kishte caktuar.
Në mes të Shevvalit, në vitin e dhjetë, Ebu Talibi kishte ndërruar jetë, dhe me vdekjen e tij fatkeqësia qe bërë më e rëndë vërtet; pas tri ditësh edhe Hatixheja nga kjo botë qe larguar, dhe sprovat mbi muslimanët edhe më shumë qenë rënduar.
Kurejshët Pejgamberit alejhis-selam çdo mundim ia kishin shkaktuar, prandaj drejt Taifit, fisin Thekif për ta ftuar, kishte udhëtuar; por ata thirrjen e tij me mirësi nuk e kishin pranuar, madje kundër tij të pamendët dhe shërbëtorët i kishin nxitur e çuar.
Me fjalë të ulëta rëndë e kishin fyer e poshtëruar, dhe me gurë pa mëshirë e kishin goditur e lënduar; derisa prej gjakut sandalet e tij qenë mbuluar, pastaj drejt Mekës me zemër të pikëlluar kishte udhëtuar.
Meleku i maleve shkatërrimin e atij populli i kishte ofruar, por Pejgamberi i mëshirës këtë nuk e kishte dëshiruar; me shpresë për pasardhësit e tyre këto fjalë kishte thënë:
“Shpresoj që Allahu prej pasardhësve të tyre njerëz besimtarë të nxjerrë, që vetëm Atë ta adhurojnë dhe besnikë t’i qëndrojnë përherë!”
O Allah, varrin e tij fisnik me aromë të këndshme nderoje, me salavate e selame të pandërprera aromatizoje!
O Allah, mbi të salavate, selame dhe begati dërgo, me dashuri e përmallim, pa fund e pa mbarim ato shto!
🌙