31/08/2026
“Shkenca dhe Kur’ani” - një tribunë e dobishme dhe frymëzuese në Xhaminë El-Hidaje
Të dielën, më 30 gusht 2026, në ambientet e Xhamisë El-Hidaje në St. Gallen, u mbajt tribunë me rastin e Lindjes së Muhammedit a.s., me temën “Shkenca dhe Kur’ani”.
Programi u hap me fjalën përshëndetëse të imamit të xhamisë, Hfz. Mehas Alija, i cili uroi të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e organizimit të takimeve të tilla, të cilat forcojnë lidhjen e besimtarit me fenë, dijen dhe shembullin e Muhammedit a.s.
Një moment i veçantë në fillim të programit ishte paraqitja e shkurtër e fëmijëve të Mektebit të Xhamisë El-Hidaje, të cilët interpretuan së bashku tekbire dhe salavate, duke i dhënë programit një atmosferë të bukur shpirtërore dhe festive.
Më pas, programi vazhdoi me interpretimin e ilahive nga Avdullah Salihi, ndërsa ligjërata qendrore u mbajt nga Hfz. Dr. Sari Fusha, mjek dhe teolog.
Në ligjëratën e tij me temën “Shkenca dhe Kur’ani”, Dr. Fusha trajtoi lidhjen ndërmjet shkencës dhe mesazhit kur’anor, duke sjellë perspektiva dhe reflektime mbi mënyrën se si dija dhe besimi mund të plotësojnë njëri-tjetrin. Në pjesën përmbyllëse të ligjëratës, ai u ndal veçanërisht te mjekësia profetike, dobitë dhe aktualiteti i saj, si dhe mënyra se si duhet kuptuar qasja e Muhammedit a.s. ndaj shëndetit dhe kujdesit për trupin e njeriut nga aspekti medicinal.
Pas ligjëratës, kryetari i Xhamisë El-Hidaje, Sadush Ajrullai, mbajti një fjalë përshëndetëse, duke falënderuar mysafirët dhe të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij programi. Me këtë rast, ai u dhuroi dhurata protagonistëve të programit, në shenjë mirënjohjeje për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre.
Programi u përmbyll me një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë ndërmjet xhematit dhe Dr. Sari Fushës, ku të pranishmit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje e këshilla të ndryshme, veçanërisht nga aspekti shëndetësor dhe mjekësor.
Ky takim u vlerësua si shumë i frytshëm dhe i dobishëm, duke krijuar një mundësi të veçantë për kontakt dhe këshillim të drejtpërdrejtë ndërmjet doktorit dhe xhematit. Një ngjarje që bashkoi besimin, dijen, shkencën dhe përvojën praktike, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e organizimit të programeve të tilla në jetën e komunitetit tonë.
Xhamia El-Hidaje falënderon të gjithë pjesëmarrësit, mysafirët dhe kontribuuesit për praninë dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet të bukur.
31.08.2026, e hënë
St.Gallen