07/15/2026
Reflektim:Mbjellja e vazhdueshme
Thirrja jonë si besimtarë dhe Kishë Shqiptare
Në leximin e sotëm të Ungjillit-Mateu 13:1-9, 18-23- shëmbëlltyra e mbjellësit na përball me një të vërtetë të thjeshtë, por jashtëzakonisht çliruese për jetën tonë shpirtërore dhe shërbesën tonë si komunitet besimtarësh qofshim.në diasporë apo trojet shqiptare.
Për shumë prej nesh, sidomos në kontekstin e një shoqërie që ndodhet në ndryshim të vazhdueshëm, është e lehtë të ndihemi të dekurajuar. Shpesh matim “suksesin” tonë bazuar te rezultatet që shohim: sa njerëz dëgjojnë mesazhin, sa vijnë në takime kishe, sa rriten në besim, apo sa ndikim ka Kisha jonë në ambientin përreth. Por a është ky vërtet përkufizimi biblik i suksesit? Çfarë kërkon Perëndia?
Përgjegjësia jonë është të hedhim farën.
Shëmbëlltyra e mbjellësit na kujton se ne kemi një rol specifik dhe shumë të rëndësishëm: ne jemi përgjegjës për shpërndarjen e farës.
Fara është Fjala e Perëndisë. Ne, si besimtarë shqiptarë dhe si trup i Krishtit (Kisha), jemi të thirrur ta mbjellim këtë farë kudo që jemi – në familjet tona, në vendet e punës, në lagjet tona dhe në marrëdhëniet tona të përditshme.
Ne nuk mund të kontrollojmë se si do të reagojë toka. Disa do të jenë si rruga, të tjerë si toka me gjemba apo gurë, dhe sigurisht, do të ketë edhe tokë pjellore që do të japë fryt. Kjo pjesë nuk është nën kontrollin tonë. Dhe megjithatë, pikërisht këtu shpesh lind frustrimi ynë: kur nuk shohim frytet që prisnim.
Si Kishë Shqiptare është një tundim i madh të ndjehemi sikur dështojmë nëse nuk shohim ndryshime të menjëhershme apo rritje të dukshme. Realiteti është që pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk kanë prejardhje të krishterë dhe në mënyrë të natyrshme nuk janë duke kërkuar për udhën e ngushtë të Krishtit. Në këtë kontekst duhet të kujtojmë se suksesi nuk matet me përqindjen e frytit, por me besnikërinë tonë për të mbjellë.
Zoti nuk na kërkon të bëjmë që fara të rritet – Ai është Ai që jep rritjen. Ai na kërkon të jemi besnikë në mbjellje.
Nëse vazhdojmë të mbjellim me dashuri, durim dhe besim, pavarësisht nga reagimi i "tokës", ne jemi duke përmbushur thirrjen tonë.
Sot, më shumë se kurrë, nevojitet që besimtarët shqiptarë të mos ndalen. Kisha jonë nuk duhet të bëhet një institucion që pret rezultate të garantuara, por një komunitet që shpërndan farën e Ungjillit me bujari dhe pa lodhje.
Kur ndjeheni të dekurajuar ose kur pyesni veten nëse përpjekjet tuaja po vlejnë, kujtoni: detyra juaj është të mbillni. Nëse jeni duke hedhur farën e së vërtetës, të dashurisë dhe të shpresës së Krishtit, ju jeni duke pasur sukses. Rezultatet dhe rritja janë në duart e Perëndisë.
Le të vazhdojmë të mbjellim, sepse çdo farë ka potencialin të bëhet një pemë e madhe, në kohën dhe sipas planit të Perëndisë.