28/08/2026
SPROVA E MATERIALIZMIT
“HUTBE NGA TREGIMET E SURES KEHF DHE SPROVAT E KOHËS DHE REALITETI I SOTIT”
Autor: Dr. Musli Vërbani
–
Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe të shpirtit.
Përshëndetjet dhe selamet qofshin për treguesin më të vërtetë të tregimeve, për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.
Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.
Mendjet mbushen siç mbushen trupat, andaj kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.
Për këtë arsye, patjetër duhet mësuar kuriozitete dhe ngjarje interesante me urtësi, por, kuptohet, ato tregime duhet të jenë tregime të vërteta e jo imagjinare.
Surja Kehf është plot mësime e këshilla.
Surja Kehf është një sure jashtëzakonisht prekëse dhe mbresëlënëse.
Kjo sure trajton tema të ndryshme, por temat kryesore janë katër tregime;
secili tregim është më interesant se tjetri.
Surja Kehf është sure e cila përmbledh katër teste me të cilat ballafaqohet njeriu.
Surja Kehf është sure e cila përmbledh katër sfida me të cilat ballafaqohet njeriu.
Surja Kehf është sure e cila përmbledh katër sprova me të cilat ballafaqohet njeriu.
Në Suren Kehf janë përmendur bazat dhe themelet e të gjitha sprovave me të cilat ballafaqohet njeriu në këtë botë.
Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Ai me këto tregime i forcon zemrat e besimtarëve, siç thotë Zoti i Madhërishëm: “Të gjitha këtë që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”
Sot do të flasim vetëm për sprovën e dytë e cila trajtohet në këtë sure.
Do të flasim vetëm për sprovën e pasurisë, të cilën sprovë e tregon surja Kehf.
Sprova e dytë e cila trajtohet në këtë sure është sprova e pasurisë me të cilën ballafaqohen të pasurit.
Sprova e dytë e cila trajtohet në këtë sure është sprova e pasurisë me të cilën ballafaqohen materialistët.
Për çfarë ka zbritur ky tregim?
Përgjigjja:
Në këtë tregim Zoti i është kundërpërgjigjur një grupi elitarësh të pabesimtarëve të Mekës, të cilët kanë kërkuar nga Pejgamberi a.s. që t’i dëbojë besimtarët e varfër, të cilët i janë lutur pandërprerë Allahut, ditën dhe natën, dhe për respektimin e besimtarëve të cilët kanë deklaruar dëshminë se vetëm Allahu është Zot.
Këtë e tregon Surja Kehf nëpërmjet tregimit të pronarit të dy kopshteve, të cilit Allahu i kishte dhënë çdo gjë, mirëpo ai mohoi dhuntitë e Allahut dhe ringjalljen, kështu që Allahu ia shkatërroi ato.
Besimtarë të nderuar!
Debati mes pabesimtarëve dhe besimtarëve në këtë botë ka ekzistuar gjithmonë, si në të kaluarën, ashtu edhe në të sotmen.
Debati mes mëkatarit dhe të devotshmit në këtë botë ka ekzistuar gjithmonë, si në të kaluarën, ashtu edhe në të sotmen.
– I pari mashtrohet në pasurinë e tij, në veten e tij dhe në jetën e tij.
– I dyti mbështetet në besimin e tij dhe shikon në të ardhmen e jetës së tij. E mendon përfundimin e kësaj bote, sado që të zgjasë, e shpreson të mirën e Zotit të tij.
Kështu ka qenë situata në ballafaqimin e pabesimtarit — i cili ishte pronar i plantacioneve dhe i pasurisë së madhe — dhe besimtarit.
Në këtë tregim, Allahu tregon shembullin e dy njerëzve:
– Njeriu i cili në pronësi kishte kopshte është i mendimit se vetë ai, me angazhimin dhe me punën e tij, e ka arritur atë pasuri.
– Njeriu i dytë është i mendimit se pasuria të cilën e posedonte është rezultat i mëshirës së Allahut ndaj tij.
Cili është qëllimi i këtij tregimi?
Përgjigjja:
Qëllimi i tregimit nuk është që të mbetet si një tregim i rëndomtë, por qëllimi është debati mes dy individëve, mes dy taborëve:
– Pabesimtari, pronar i dy plantacioneve, përfaqëson Kurejsh*tët dhe idhujtarët.
– Pabesimtari, pronar i dy plantacioneve, përfaqëson pabesimtarët dhe ateistët.
– Besimtari, i cili dëshmonte besimin në Zot, përfaqëson besimtarët.
Siç tregon Kur’ani, pasqyrimi i shembullit është si në vijim: “O i dërguar i Allahut, ilustroju shembullin atyre idhujtarëve të cilët kanë kërkuar nga ti që t’i dëbosh besimtarët nga vendtubimi yt, me shembullin e këtyre dy njerëzve, ku njërit prej tyre Allahu i ka mundësuar që t’i ketë dy plantacione me vreshta, rreth e rrotull me palma, në mes tyre me drithëra dhe me pemë frytdhënëse.”
“Që të dyja plantacionet ishin me fryte” — pra ishin me fryte dhe nuk u mungonte asgjë për asnjë vit.
Zoti i Madhërishëm tregon se:
“Ndërsa në mes tyre kishin shpërthyer ujëra të cilët formonin lumenj”. Pra, në mes të dy plantacioneve kishte lumenj të cilët kishin degëzime të shumta për të ujitur të gjitha pjesët e plantacioneve.
Pronari i plantacioneve kishte burime të tjera të të ardhurave, si me prodhimet bujqësore, ashtu edhe me kapital ekonomik e tregtar.
Besimtarë të nderuar!
Thuhet se:
Kanë qenë dy vëllezër nga Beni Israilët.
Që të dy kanë trashëguar një pasuri prej 4000 dinarësh.
– Njëri prej tyre ka blerë dhe ka pasur dy plantacione. Pastaj ka blerë robër, është martuar dhe është pasuruar edhe më shumë.
– Vëllai tjetër e ka shpenzuar pasurinë e tij në rrugë të Allahut, derisa është varfëruar.
Një ditë janë takuar dhe, duke debatuar, i pasuri është lavdëruar dhe e ka nënçmuar besimtarin.
Allahu nuk e tregon vendin e ndodhjes. Kjo për atë shkak se ky tregim mund të përsëritet në çdo vend.
Allahu nuk e tregon as kohën e ndodhjes. Kjo për atë shkak se ky tregim mund të përsëritet në çdo kohë.
Ky është tregimi për ata të cilët i mashtron pasuria.
Ky është tregimi i cili trajton çështjen e materialistit.
Ky është tregimi për ata të cilët nuk mund t’u përballojnë sprovave të begative, mirësive dhe pasurisë.
Allahu është Ai i cili i jep begati cilit të dëshirojë vetë Ai, ndërsa ajo që duhet ta shoqërojë begatinë është falënderimi ndaj Allahut të Lartësuar nga ana e atij të cilit i është dhuruar e mira. Mirëpo, njeriu ndaj begative nuk sillet sipas mënyrës së duhur.
Besimtarë të nderuar!
Siç thamë edhe më herët, sprova e dytë e cila trajtohet në këtë sure është sprova e pasurisë, sprova e materializmit.
Testi i dytë i cili trajtohet në këtë sure është sprova e pasurisë, e materializmit.
Sfida e dytë e cila trajtohet në këtë sure është sprova e pasurisë, e materializmit.
Pasuria është sprovë e madhe.
Pasuria e bën njeriun arrogant, ashtu që u bën padrejtësi njerëzve.
Materializmi ka qenë i theksuar edhe në të kaluarën, është edhe sot, e do të jetë edhe në të ardhmen.
Shohim se si e ka kapluar shoqërinë materializmi, saqë për interesa materialiste janë shkëputur marrëdhëniet familjare: babë me bir, vëlla me vëlla, vëlla me motër e kështu me radhë.
Shohim se si e ka kapluar shoqërinë materializmi, saqë për interesa materialiste janë shkëputur marrëdhëniet farefisnore: xhaxha me djalë xhaxhai, nip me dajë, kushëri me kushëri e kështu me radhë.
Shohim se si e ka kapluar shoqërinë materializmi, saqë për interesa materialiste janë shkëputur marrëdhëniet shoqërore: shok me shok, shoqe me shoqe e kështu me radhë.
Sa e sa të pasur e kanë harruar Zotin e tyre për shkak të pasurisë!
Sa e sa të pasur e kanë harruar fenë e tyre për shkak të pasurisë!
Sa e sa pasanikë i kanë ndërprerë marrëdhëniet farefisnore për shkak të pasurisë!
Sa e sa pasanikë janë bërë meitë arrogantë, edhe pse para se të ishin të pasur ishin të devotshëm!
Besimtarë të nderuar!
Cila është porosia e tregimit “Pronari i dy kopshteve”?
Allahu i Lartësuar na njofton me faktin se, po qe se begatitë ia përshkruajmë vetvetes, atëherë ajo pasuri do të shkatërrohet.
Allahu i Lartësuar na njofton me faktin se, po qe se mendojmë se pasurinë të cilën e fitojmë, e fitojmë pa ndihmën e askujt, atëherë ajo pasuri do të shkatërrohet.
Pronari i “dy kopshteve” ngrihet krenar mbi atë me të cilin bisedon, duke i thënë se posedon më shumë pasuri se i dyti — sikur të ishte vetë ai që ia ka dhuruar vetvetes atë pasuri.
Pronari i dy kopshteve me krenari lavdërohet se ka më shumë fëmijë se i dyti — sikur të ishte ai i cili i sjell fëmijët prej diku.
Pronari i dy kopshteve vetes ia përshkroi forcën e cila i takon vetëm Allahut të Lartësuar, andaj edhe e meritoi të ndëshkohet.
Besimtarë të nderuar!
Pronari i dy kopshteve e ka mohuar Ditën e Gjykimit dhe të Ringjalljes.
Ai shkoi edhe më larg, aq shumë saqë e refuzoi edhe Ditën e Fundit.
Ai shkoi edhe më larg, aq shumë saqë e refuzoi Ringjalljen.
Pronari i dy kopshteve është tallur me besimtarin.
I ka thënë: “Dhe nuk besoj se do të ndodhë kiameti.” (El-Kehf, 36)
Materialisti mendon se është i përhershëm.
Materialistëve u duket se janë ata të cilët i planifikojnë veprimet në drejtim të përfitimit të pasurisë. Mirëpo, Allahu vendos që t’ua marrë ato begati.
Pasanikëve, kapitalistëve u duket se janë ata të cilët i planifikojnë veprimet në drejtim të arritjes së begative, mirëpo Allahu vendos që të vdesë ai i cili i posedon ato begati, kështu që përmes këtij gjesti të gjithëve u jep shembull dhe argument se gjithçka vetëm Atij i nënshtrohet.
Në këtë mënyrë i ka bërë padrejtësi vetes.
Me pabesimin e tij, me bindjen e tij të gabuar dhe me mosbesimin në Ditën e Gjykimit i ka bërë padrejtësi vetes së tij.
Kështu është çështja e çdo të pasuri të vetmashtruar, i sprovuar me pasurinë e tij, nuk e nderon askënd, përveçse nëse ka të bëjë me ndonjë të pasur të ngjashëm me të.
E sheh në vendet e mëkateve, në vendet zbavitëse, në vendet degjeneruese, nëpër klube të natës e kështu me radhë.
Krekoset dhe dëshiron të rritet në mendje me pasurinë e tij dhe me pallatet e tij, me orenditë e shtëpisë së tij, dhe ua tregon të tjerëve, mirëpo në përfundim ai është dështuesi më i madh dhe më i shkatërruari.
Njeriu shpeshherë për begatitë nuk e falënderon Allahun, por në raste të këtilla sillet me papërgjegjësi.
Fuqia e Allahut është mbi të gjitha shkaqet.
Besimtarë të nderuar!
Zoti i Madhërishëm tregon për pronarin e dy kopshteve, i cili ka thënë: “Por nëse bëhet që të kthehem te Zoti im, padyshim do të gjej ardhmëri edhe më të mirë se kjo.” (Kehf, 35-36)
Ky arrogant është betuar se, edhe po të presupozohej që të kthehet te Zoti i tij, ai në botën tjetër, te Zoti i tij, do ta kishte fatin më të mirë se në këtë botë, pra përfundimi i tij do të ishte me rezultat të kënaqshëm dhe të suksesshëm.
Ky arrogant është betuar se, edhe po të presupozohej që të kthehet te Zoti i tij, ai në botën tjetër te Allahu do të jetë i çmuar, duke pretenduar se do të ketë pozitë të lartë dhe do të jetë i respektuar.
Ky arrogant ka vazhduar duke thënë: “Por nëse bëhet që të kthehem te Zoti im, pa dyshim do të gjej ardhmëri edhe më të mirë se kjo.” (El-Kehf, 36)
Përse?
Për arsye se ai ishte i bindur se begatia në këtë botë është argument i kënaqësisë së Allahut me robin e Tij dhe se ai i cili shpërblehet me të mirat e kësaj bote, ai do të jetë mirë edhe në botën tjetër.
Sipas pretendimit të tij të çoroditur: kush e ka gjendjen e mirë në këtë botë, ai do ta ketë gjendjen e mirë edhe në botën tjetër.
Ai është mahnitur me plantacionin e tij dhe nga gëzimi i tepërt e ka tepruar me idenë e tij, duke krahasuar këtë botë me botën tjetër.
Ka menduar se me ndryshimin e jetës nga kjo botë, ai do të jetë edhe më shumë i nderuar dhe i respektuar.
Kjo, po qe se ekziston kthim apo ringjallje sipas mendimit të besimtarit, atëherë gjendja e tij do të ishte më e mirë dhe më komode.
Ky mendim i këtij mëkatari nuk ka qenë mendim se ka menduar ashtu, por qëllimi i tij ka qenë në mënyrë ironike dhe përgënjeshtruese.
Qëndrimi i këtij pabesimtari të vetmashtruar është qëndrim i dështuar dhe imagjinatë shterpë.
Qëndrimi i tij dhe situata e tij, në fakt, sjellin vetëm çrregullim dhe falimentim. Kjo për shkak të mohimit të begative të Allahut dhe mëkateve të tij ndaj Zotit të tij.
Ky konstatim nuk është i vërtetë. Pasuria dhe pasardhësit në këtë botë ndonjëherë nuk janë fatmirësi, por mund të jenë fatkeqësi.
Besimtarë të nderuar!
Cila ka qenë përgjigjja e bashkëbiseduesit?
Cila përgjigje duhet t’u jepet materialistëve?
Bashkëbiseduesi i tij orvatet ta korrigjojë nga ai lloj i qëndrimeve të pabaza, duke i thënë: “Kush je ti që të flasësh kështu?”
Bashkëbiseduesi i tij orvatet ta ndalojë nga ai lloj i qëndrimeve të pabaza, duke i thënë: “A nuk të kujtohet se ke qenë një grusht dhe (baltë)?
A nuk të kujtohet se ke qenë baltë e cila nuk ishte as jetë e as ndonjë vlerë?
Bashkëbiseduesi i thotë pronarit të kopshteve: A po më nënçmon nëse unë kam pasuri më pak se ti?
A po më nënçmon nëse unë kam fëmijë më pak se ti dhe se ti je familje e madhe në këtë botë të përkohshme?
Allahu është Ai i cili pas kësaj ta dha shpirtin, pasi që ke qenë një pikë farë e cila nuk mund të shihej me sy të rëndomtë, të bëri të fortë dhe të fuqishëm.
Besimtari ia tërheq vërejtjen për pabesimin dhe vetmashtrimin në këtë mënyrë: “A ti po e mohon Atë i Cili të ka krijuar nga baza e dheut?”.
Kjo nga shkaku se krijimi i Ademit, babait të njerëzimit, është prej dheut, pra prej përbërjes së dheut.
Po ashtu edhe bimët ushqehen prej dheut; ushqimi i bimëve është prej ujit dhe dheut. Pastaj, me konsumimin e atij ushqimi, ai ushqim shndërrohet në gjak, një pjesë e tij në spermë e cila është burim i shtatzënisë, pastaj njeriu krijohet me të gjitha pjesët e trupit.
Besimtari ka deklaruar se Allahu është Zot dhe udhëheqës i gjithësisë. Nuk ka ortak, por Ai është i Vetmi i Cili duhet të adhurohet dhe krahas Tij nuk duhet të adhurohet askush tjetër.
Besimtarë të nderuar!
Besimtari ka deklaruar se Allahu është Zot dhe udhëheqës i gjithësisë.
Besimtari ka deklaruar si në vijim:
Unë pres ndryshimin e pozitës në botën tjetër dhe shpresoj se Allahu do të më japë plantacion më të mirë se tëndin në botën tjetër, ndërsa në këtë botë të dërgon dënim nga qielli, pra të dërgon furtunë me acar ose erë përflakëse, dhe që plantacioni yt të mbetet i thatë, pa bimë, pa pemë e perime.
Plantacion rrafsh për t**e, ose të mbetet tokë jopjellore, në të cilën as këmba e njeriut nuk shkel, pra zhduken bimët dhe pemët, e mbetet tokë e thatë dhe e padobishme.
Ajo tokë nuk bëhet pjellore, nuk shkel këmba e njeriut, ose shteret uji dhe nuk mund të kërkohet apo të rikthehet përsëri.
Kur ishe i impresionuar me bukuritë e plantacionit, pasi që ke hyrë në të, pse nuk the: ”Ma Sha Allah! Nuk ka forcë përpos forcës së Zotit”, pra: “Çështja është ashtu siç ka dashur Allahu dhe është bërë siç e ka përcaktuar Allahu”.
Thënia e Allahut Famëlartë:
“Në atë vend ndihma është vetëm e Allahut të vërtetë” (El-Kehf, 44) ka kuptimin: “atëherë, sundimi, udhëheqja, ndihma dhe gjykimi i takojnë vetëm Allahut të Drejtë dhe të Vërtetë”.
Allahu Famëlartë është shpërblyesi më i mirë dhe te Ai është përfundimi më i drejtë, pra shpërblyesi më i mirë, dhe Ai i Cili i përfundon çështjet më së miri për dashamirët e Tij besimtarë. U ndihmon atyre, ua kompenson atë që e humbin në këtë botë.
Kështu, veprat e tyre të sinqerta për Allah shpërblehen me shpërblime të mëdha, të mira, dhe realizohen me sukses. Të gjitha të mirat e kësaj bote shpërblehen në botën tjetër.
Ky është argument i qartë se të mirën Allahu e shpërblen më së miri dhe të mirës ia bashkëngjit nderin, vlerën dhe e çmon siç dëshiron Allahu Famëlartë, gjë që i jep vullnet çdo të logjikshmi të lakmojë në mirësinë dhe në shpërblimin prej Allahut, të bëhet i devotshëm dhe të fitojë kënaqësinë e Tij, sepse ajo çka është te Allahu është më e mira dhe e përhershmja.
Besimtarë të nderuar!
Më pas Allahu na informon se deri ku e çoi verbëria këtë të mjerë.
Allahu i Plotfuqishëm i mori begatitë nga ai.
E gjeti vërshimi,
iu shkatërruan të gjitha frutat, ashtu që dukej sikur të mos ekzistonte më jetë aty.
Allahu i Madhërishëm informon për dënimin i cili do ta godasë atë mohues dhe cilësitë e dënimit: E ka goditur dënimi, çrregullimi dhe janë zhdukur frytet e plantacionit, pastaj ka humbur financiarisht dhe i është shkatërruar gjithçka.
“Dhe vërtet, u shkatërruan frutat e tij e ai filloi t’i rrahë shuplakat për atë që kishte shpenzuar në të, e ajo ishte rrënuar në kulmet e saj dhe thoshte: “O i mjeri unë, të mos i kisha bërë Zotit tim askënd shok!” (El-Kehf, 42)
Pastaj ai njeri i sprovuar pendohet, pasi që i ka humbur pasuria dhe nuk kishte çka të shpenzonte për familjen e tij, dhe dëshironte që të mos kishte adhuruar askënd krahas Allahut. Plantacioni i është bërë i thatë, rrafsh për t**e, pra e gjitha çka ka qenë mbi tokë ka rënë për t**e.
Nuk ishte askush t’i ndihmonte apo ta mbështeste, asnjë nga familja e tij dhe as nga fëmijët e tij, sikurse më herët krenohej me ta, mirëpo ata nuk i kanë ndihmuar, pra kanë qenë të penguar që Allahu t’i hakmerrej atij.
Besimtari është i vetëdijshëm për esencën e dhuratës e nuk e shikon vetëm dhuratën.
Nëse Allahu i Lartësuar nuk i jep pasuri ndonjë njeriu, në këtë rast dikush menjëherë do të mendojë se kjo ndalesë është keq për të. Mirëpo në esencë, mosdhënia e asaj pasurie për disa njerëz është esenca e begatisë që u është dhuruar.
Nëse dhënia e begative te njerëzit përmban urtësi, atëherë dije se çdo çështje e përmban urtësinë e vet, gjegjësisht porosinë e saj.
Në këtë situatë, në sprovë dhe në këtë katastrofë, ndihmëtar i vetëm është Allahu, dhe çdo njeri me dëshirë e pa dëshirë i kthehet Allahut, i lutet dhe i përulet Atij në momentet e ndëshkimit.
Pastaj Zoti i Madhërishëm na ka treguar ngjarjen e Karunit në një sure tjetër, në suren Kasas, ku thotë:
“Me të vërtetë, Karuni ka qenë nga populli i Musait, por i shtypte ata. Ne i patëm dhënë atij aq thesare, saqë çelësat e tyre vështirë se do të mund t’i mbante një grup njerëzish të fuqishëm. Njerëzit e popullit të tij i thanë: “Mos u ngazëlle me pasurinë që ke, sepse Allahu nuk i do ata që ngazëllehen. Përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.” Ai tha: “Kjo më është dhënë vetëm prej diturisë sime”. Vallë, a nuk e dinte ai se Allahu kishte zhdukur para tij shumë brezni që kishin qenë më të fuqishëm dhe që kishin grumbulluar më shumë pasuri se ai? Por keqbërësit nuk do të pyeten për gjynahet e tyre. Kur ai dilte para popullit të vet me stolitë e tij, ata që lakmonin jetën e kësaj bote thoshin: “Ah! Sikur të na ishte dhënë edhe neve si Karunit! Vërtet që ai është njeri me fat.” (El-Kasas: 76-79)
Përfundim
Kjo sprovë, sprova e materializmit, pasi tregohet në suren Kehf, tregohet edhe mënyra e shpëtimit.
Tregohet se sigurimi i pasurisë dhe tejkalimi i kësaj sprove bëhen si në vijim:
– Duke qenë i devotshëm.
– Duke pasur sinqeritet.
– Duke falënderuar Zotin.
– Duke e pranuar se ajo pasuri është prej Zotit.
– Duke e shpërndarë, duke e shfrytëzuar për mirësi (dhënia e zekatit). Sprova në pasuri vjen sepse një prej shkaqeve kryesore të shkatërrimit të begative është edhe ajo që njeriu u ndalon të drejtën të varfërve, të cilën Allahu i Lartësuar u kishte ofruar atyre.
Në këtë rast bëhet fjalë për ndarjen e pasurisë, që sipas rregullit u takon të varfërve dhe nevojtarëve.
Nëse dëshiron që të zhduket pasuria jote, atëherë refuzoje të drejtën e zekatit.
Nëse dëshiron që të zhduket pasuria jote, atëherë ndaloje të drejtën e cila u takon të varfërve.
– Duke i kujtuar të varfrit dhe të gjorët.
Mbrojtja nga sprova në pasuri arrihet me kuptimin e realitetit të kësaj bote dhe përkujtimin e botës tjetër. Në fund, Zoti i Madhërishëm e ka zbritur ajetin si në vijim: “E ti (Muhamed) paraqitja atyre shembullin e kësaj bote, që është si një ujë (shi) që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshtohet aq sa përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet b*k (pas tharjes) që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për çdo send. Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” (Kehf, 45-46)
Zoti ynë!
– Na e mundëso ta perceptojmë të vërtetën dhe të veprojmë me të!
– Na e mundëso ta kuptojmë të pavërtetën dhe të largohemi prej saj!
Zoti ynë!
– Na forco në fenë tonë, e cila është mbrojtje dhe siguri e çështjes sonë;
– Na e rregullo këtë botë në të cilën është jeta jonë;
– Na përgatit për jetën tonë në botën në të cilën është kthimi ynë;
– Na e bëj jetën ambient të përshtatshëm për çdo punë të mirë dhe
– Na e bëj vdekjen qetësi, pushim dhe shpëtim nga çdo e keqe!